Për çfarë shërben shkolla? Unë shpenzova 16 vite në bankat e shkollës dhe kur përfundova, sërish nuk dija asgjë për jetën. Nuk dija si të menaxhoja si duhej lekët e mia dhe as se si të aplikoja për të gjetur një punë. U diplomova si më i miri i klasës sime dhe çfarë përfitova si përfundim? Një diplomë për të qenë krenar, por që më shërbente vetëm për ta parë me mamanë time në shtëpi. Kushedi sa herë mamaja më pyeste se nëse kisha mësuar gjëra të reja në shkollë dhe unë i thoja “Po”, kur në fakt në shkollë, ashtu si shumë të tjerë, përpiqesha të shmangia kontaktin me sytë e mësueses për të mos e thirrur emrin tim; përpiqesha të mos e ngrija dorën dhe të mos përgjigjesha, pasi kisha frikë mos përgjigjesha gabim. Sepse kështu funksionon shkolla në ditët e sotme, si një lojë për të siguruar nota sa më të mira. Sa herë në klasë ke dëgjuar të pyesin: “Po kjo na duhet për në provim?”. Ndoshta nuk e mban mend se sa herë, sepse ndoshta ndodh përditë të dëgjosh apo edhe të bësh pyetje të tilla në klasë, sepse sot mësohet vetëm për provime. Nëse shkollat do të funksiononin në mënyrë të tillë që t’i mësonin siç duhet nxënësit, jo vetëm për një provim të afërt, atëherë fjala “dështim” në një provim, do të zëvendësohej me fjalët “gjej një përgjigje tjetër”.

Mjaft u dhatë nxënësve sa më shumë detyra dhe projekte me shpresën se ata do të mësojnë më shumë. Jo, nuk ndodh kështu. Ata do të mësojnë shumë përkohësisht, por më vonë do t’i harrojnë ato që kanë mësuar, sepse ato detyrat e ngarkuara që u jepni ju, duan kohë të bëhen dhe fëmijët shpesh nuk dalin të luajnë, apo nuk flenë mjaftueshëm gjumë. Jepini atyre kohë të lexojnë, por edhe kohë të kënaqen e të flenë mjaftueshëm. Shkolla sot nuk po ndikon tek edukimi i të rinjve, sepse thjesht e mbush me informacion trurin e të rinjve. Ata dalin mirë në provime dhe më pas e harrojnë gjithçka. Ky nuk mund të quhet edukim. Edukim do të thotë të marrësh njohuri të ndryshme dhe të mësosh gjithashtu se si t’i lidhësh ato njohuri. Kjo gjë nuk ndodh. Vetëvrasja është shkaku i tretë i vdekjeve në grupmoshat 10-25 vjeç. Unë nuk di të kem mësuar ndonjëherë në shkollë se si të përballoj stresin, fyerjet, poshtërimet, apo dështimet. Neve nuk na mësojnë gjëra të tilla tepër të nevojshme për jetën. Nëse një person nuk di të gatuajë, për çfarë i duhet të dijë të dhëna mbi luftërat botërore? Mos vallë ato do e mësojnë të gatuajë për të ngrënë shëndetshëm dhe për të marrë vlerat e duhura ushqimore?

Ka një ndryshim të madh midis të qenurit i zgjuar dhe të dalit mirë në një provim. Ka një ndryshim të madh midis rezultateve në shkollë dhe rezultateve në jetë. Fati juaj është në duart tuaja. Duhet të luftoni ju që ai të jetë i duhuri. Mos prisni që shkolla të hapë dyert për ju. Mendoni për një moment një fëmijë në një shkollë të caktuar që qëndron në bangën e fundit dhe nuk e ngre asnjëherë dorën. Ai ka dalë keq në çdo lëndë, por nëse dikush e mbështet atë dhe e nxitë të nxjerrë në dritë pasionin e tij, ai mund të arrijë edhe të zbulojë kurën e kancerit. Por kjo gjë nuk mund të ndodhë, apo jo? Ai s’mund të marrë dot një çmim “Nobel”, sepse inteligjenca e tij vlerësohej vetëm nga rezultatet në shkollë. Kështu që, unë të pyes sërish ty si mësues, si prind, si nxënës apo student, për çfarë shërben shkolla? -Prince Ea

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here